Një granatë dore është gjetur në oborrin e një shtëpie të një personi i nacionalitetit serb, në fshatin Mogillë të komunës së Kllokotit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, thuhet se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësiti për deminim i Forcave të Sigurisë së Kosovës nga KFOR-i amerikan.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, Stacionit Policor në Kllokot, ka pranuar ankesë nga Z.J. (1963) Kosovar Serb nga fsh.Mogillë Komuna Kllokot se në oborrin e shtëpisë së tij ka gjetur një mjet të dyshuar. Patrulla e Policisë së Stacionit Policor Kllokot menjëherë kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe pas shikimit të vendit të ngjarjes kanë vërejtur se bëhet fjalë për një granatë dore me ngjyrë të gjelbër, e vjetërsuar, e pa shpërthyer dhe e siguruar me sigurues”, thuhet në njoftim.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti për deminim i FSK-së dhe njësiti për deminim nga KFOR-i Amerikan, po ashtu edhe njësiti i Hetimeve Rajonale Gjilan”, vijon njoftimi.
Siç thuhet në njoftim, menjëherë janë evakuuar banorët në një perimetër të nevojshëm dhe është siguruar vendi i ngjarjes.
Ndërkaq, granata është tërhequr e pashpërthyer nga njësitet përkatëse.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që të iniciohet si rast “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’.
I njëjti rast do të dërgohet në Njësitin e Hetimeve Rajonale për hetime të mëtejme.