Buduçnosti fitoi me rezultat 2-0, por nëse futbolli na ka mësuar diçka atëherë ajo është që asgjë nuk përfundon deri në vërshëllimën e fundit.
Të enjten me fillim në orën 20:00, 90 minuta luhen në ‘Fadil Vokrri’, e nuk përjashtohet as mundësia që të luhen 120 nëse Llapi e mbyll ndeshjen me dy gola epërsi.
Për këtë, trajneri i llapjanëve, Tahir Batatina ka kërkuar ndihmën e të gjithë tifozerive tjera, pas provokimeve në baza kombëtare që tifozët nga Mali i Zi i drejtuan te Llapi në ndeshjen e parë.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjithë shqiptarët kudo që janë që me datën 14 të na mbështesin në ‘Fadil Vokrri’, sepse urrejtja e tifozerisë malazese ndaj kombit shqiptar më ka lënduar shumë”, u shpreh Batatina në thirrjen e tij për tifozeritë e ndryshme në Kosovë dhe jo vetëm.
Poashtu, ai foli edhe rreth vitit jubilar të krijimit të klubit dhe rëndësisë që ka një trofe pikërisht këtë sezon.
“Është ndjenjë e veçantë që në 90 vjetorin e klubit, pikërisht në atë vit të marrësh trofe”, shtoi trajneri i Llapit.
Këto, komentet e gazetarëve rreth tij, synimet e Llapit, përmirsimi i arenës “Zahir Pajaziti”, e shumë të tjera, Tahir Batatina i ka përmendur në një intervistë ekskluzive për mikrofonin e RTV Dukagjinit.