Faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës, ka njoftuar se kryetari Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja, Saranda Bogujevci, deputetja Fitore Pacolli Dalipi dhe ambasadori Ilir Kapiti, kanë pritur të martën një delegacion nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar, të kryesuar nga deputetja Harriett Baldwin.
Sipas njoftimit, aty u diskutua për “për zhvillimet politike, mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, si dhe për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”.
Kryetari, Konjufca ka thënë se e vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë për Kosovën, në fazat kryesore të shtetndërtimit. Konjufca ka theksuar se Britania ka luajtur rol kyç në pavarësinë e Kosovës.
“Kryetari Konjufca, pasi i njoftoi deputetët britanikë me rrjedhat e punës së legjislativit dhe trupave të tij, vlerësoi lart mbështetjen koherente të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat vendimtare të shtetndërtimit dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar rolin e veçantë të këtij shteti mik për lirinë, pavarësinë dhe rimëkëmbjen e shtetit tonë”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare në Facebook të Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, në njoftim thuhet se deputetët e parlamentit britanik, e kanë falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, dhe se e kanë shprehur përkushtimin e tyre për intensifikimin e bashkëpunimit në disa sektorë.