Të mërkurën e 13 korrikut do të mbahet konferenca e 13-të për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
Gjatë kësaj konference pritet që të diskutohet për zbulimin e provave, hetimet e mbrojtjes dhe hapat e tjerë të tyre, si dhe për propozimet për racionalizimin e çështjes.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’iu rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se këto krime janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.
“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa një proces të rregullt ligjor, duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë/Budakovo1 dhe Semetishtë/Semetište2 në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999”, thuhet në anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës
Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së i kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.
“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Një pjesë e madhe e këtyre anekseve janë të redaktuara, që i bie se publiku i gjerë nuk ka çasje në shumë prej detajeve, siç janë emrat e shumë personave të përmendur.
Në aneksin 7 të aktakuzës së publikuar flitet edhe për një rast që supozohet se ka ndodhur në një konvikt në Komunën e Gjilanit.
Sipas këtij aneksi, viktima supozohet të ketë qenë civil dhe jo me uniformë ushtarake.