Zëvëndësministri në MPJD, Kreshnik Ahmeti, është takuar të martën e 12 korrikut me Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Malit të Zi, z. Ljubomir Mišurović, për konsultime politike në mes të dy ministrive.
Gjatë këtij takimit është diskutuar për marrëveshjet bilaterale të cilat janë në proces të finalizimit, situatën e sigurisë në rajon, bashkëpunimin në dimensionin multilateral, thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimet e përbashkëta infrastrukturore.
“Delegacionin malazez e njoftova për planet e Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke vënë theksin në procesin e tanishëm të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Me këtë rast, falenderova Malin e Zi për mbështetjen e pakusht në këtë proces të anëtarësimit”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Në këtë takim është diskutuar edhe për çështje të sigurisë dhe masat që kanë ndërmarrë të dyja vendet, veçanërisht pas situatës së krijuar nën hijen e agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.
“Ndikimi i dëmshëm i vendeve të treta në rajonin tonë është shqetësim i përbashkët dhe bashkëpunimi për luftimin e tij është i domosdoshëm’, ka shkruar më tej zv. Ministri.
Të dyja palët janë pajtuar që t’i angazhojnë departamentet përkatëse të të dyja Ministrive për bashkëpunim të ngushtë për procesin e integrimeve evropiane dhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë.