Gjinden mbi nëntë mijë emra dhe mbiemra të të burgosurve shqiptarë në të gjitha burgjet politike në Kosovë dhe Serbi.
Për Burgun e Idealit ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti.
“Një mur me thënie, vargje e ilustrime nga ish të burgosurit. Poshtë korridorit, në fund të katit të parë, brenda rrojtores së dikurshme, është një ekran. Janë më shumë se 9 mijë emra dhe mbiemra të të burgosurve shqiptarë në të gjitha burgjet politike në Kosovë dhe Serbi,” ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, brenda këtyre 17 qelive të ish-Burgut të Prishtinës jetojnë histori të shumta të dhunës së regjimit serb mbi patriotët shqiptar, që nga ndërtimi i tij në vitet e 50-ta, e deri në vitin 1999. Kujtime e dëshmi të përndjekjes, maltretimit dhe shtypjes së idesë e idealit për liri.
Ekspozita e cila u hap sot gjatë ditës së martë të 12 korrikut, sipas kryeministrit tregon realitetin e shumë të burgosurve dhe burgjeve. E punuar në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e të Burgosurve Politikë, kjo ekspozitë është faza e parë e hapjes së burgut, ka shkruar Kurti.
Ndërtesa e cila është shndërruar në Muze të Burgut të Prishtinës, do të restaurohet tërësisht ka shkruar kryeministri.
Kjo ndërtesë do të jetë aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore, në kujtim të qëndresës dhe në përkujtim të torturave në terrorirn e përjetuar nga të burgosurit.
Ndër të tjera, kryeministri ka shkruar se “Ky burg që sot hapi dyert, do të ruajë e dokumentojë historinë tonë të vështirë, në përkujdesje që të mos përsëritet më kurrë.”