Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, të mërkurën e 13 korrikut ka pranuar mbështetjen nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Orgeta Manastirliu, për trajtimin e pacientëve kosovarë me radioterapi.
Në letrën e ministres Manastirliu, thuhet se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë ka shprehur keqardhjen për situatën e krijuar në Klinikën e Onkologjike të Shërbimit Spitalor të Kosovës.
“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhr Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letër.
Në këtë kuadër, thuhet në vazhdim të letrës, po përvijohet një plan i përbashkët pune në nivel teknik për të mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Shërbimi i Onkologjisë së Kosovës në përputhje me mundësitë e Shërbimit Onkologjik në Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaviteteve të Shërbimit.
“Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, ka nderin të paraqesë edhe njëherë konsideratën e saj më të lartë për Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe të shprehë gatishmërinë e saj për çdo ndihmë e komunikim në ditët në vazhdim”, vijon letra.
Ndërkaq, ministri Latifi e ka falënderuar homologen e tij, Manastirliu, për mbështetjen e dhënë për këta pacientë.
Sa i përket rasteve me kancer në Kosovë, për pesë muajt e fundit janë identifikuar, gjithsej, 611 raste, ndërkaq mjekët onkologë kanë realizuar 19 mijë e 495 kontrolla gjatë kësaj kohe.
Onkologu, Ekrem Hyseni, në një intervistë për Portali Dukagjini, ka thënë se në dy-tre vjetët e fundit, sipas statistikave vjetore, kanë qenë rreth 1 mijë e 500 deri 1 mijë e 600 raste të reja në vit. Ndërsa, një difernecë interesante ka qenë në vitin 2021, ku ka pasur një rënje të rasteve duke e krahasuar me një vit më herët, pra me vitin 2020, por sipas tij, kjo nuk është rënie reale.
”Kjo nuk ka qenë një rënie reale, por ka qenë rënie si pasojë e qasjes më të vogël të njerëzve ku arsyeja ka qenë COVID-19. Pra, shkak ishte pandemia që njerëzit kanë pasur më pak qasje në institucionet shëndetësore”.
Mungesa e barnave në Klinikën e Onkologjisë problem serioz
Sipas onkologut Hyseni, një tjetër problem me të cilin ballafaqohen ata si mjek, por edhe pacientët, është mungesa e barnave. Ai ka thënë se shpeshherë ka mungesa të tyre, dhe pacientët detyrohen që t’i blejnë, dhe për fat të keq kjo nuk është gjë e mirë, duke shtuar se barnat që përdoren në onkologji kushtojnë më shtrenjtë, dhe lista ekzistuese (lista e barnave esenciale) ka nevojë që të rishikohet dhe që të shtohen edhe barnat e tjera që nuk janë.
Te trajtimi i pacientëve me kancer, sipas Hysenit, stafi i onkologjisë duhet shtuar. Ai ka thënë se përveç stafit duhet të shtohet edhe numri i krevateve.
Çdo vit mbi 1 mijë e 500 raste të reja me kancer në Kosovë, në QKUK mungojnë pajisjet bazike