Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, të premten para Komisionit për Siguri të Kuvendit të Kosovës, ka folur për praninë e drogës në vendin tonë, përfshi edhe hapësirat shkollore, duke thënë se kjo është shumë shqetësuese.
Ai ka potencuar se është shqetësues niveli i përdorimit dhe transportimit të drogës që po tentohet të kalojë në territorin Kosovës. Sipas tij kjo një pjesë e kësaj sasie është për përdorim kurse tjetra synohet të transportohet në vendet tjera.
Ai ka përmendur konfiskimin e mbi 400 kilogramëve drogë të llojit kokainë, duke thënë se një sasi kaq e madhe të kaloj në vendin tonë është shumë brengosëse.
Po ashtu, Mehmeti ka bërë të ditur, se për dy muaj janë konfiskuar 218 kilogramë drogë të llojit heroinë.
“Çështja e drogës dhe narkotikëve 400 kg kokainë e konfiskuar është shumë brengosëse. Për 2 muaj janë konfiskuar 218 kg heroinë, po flasim për kokainë heroinë, që janë droga të rënda”, ka deklaruar ai para anëtarëve të komisionit.
Drejtori i Policisë, ka treguar edhe për aksionet që janë duke i ndërmarrë në shkollat e Kosovës.
Ai ka thënë se vazhdimisht po gjejnë drogë në çanta të nxënësve madje edhe armë zjarri, ku ka përmendur një rast kur një nxënësi të klasës së tetë, i është gjetur një revole në çantën e tij.
“Qe një muaj ditë kemi operacione në shkolla, po nuk e kemi bërë publike se na ka ardhur keq të themi që Policia po rri në shkolla. Unë nuk e dua Policinë në shkollë, po nuk kemi pas qare pa ndërhyrë. Jemi duke gjetur sasi nëpër çanta të shkollave. Është çështje shumë serioze. Te nxënësi i klasës së tetë kemi gjetur revole”, ka thënë Mehmeti.
Përveç rasteve të përmendura, Mehmeti ka bërë të ditur se në Kosovë është shtuar numri i drogave sintetike. Me këtë rast ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës, që të angazhohen me fushata vetëdijesuese për parandalimin e përdorimit të drogës në shkolla.