Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, teksa kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, për vizitat e shpeshta jashtë vendit, ka thënë se i pari i qeverisë po i ik përgjegjësisë që ka marrë nga vota e qytetarëve.
Në një konferencë për media, Çitaku ka theksuar se kryeministri nuk po qeveris me vendin.
Sipas saj, Kurti ka zgjedhur që nga fillimi i mandatit e deri në ditët e tanishme, “të abstenojë nga qeverisja”.
“Në këtë kohë kur shumica e familjeve kosovare po ballafaqohen me krizë të madhe ekonomike, me rritjen e çmimeve, kryeministri i vendit që do të duhej të ndërmerrte hapa për tejkalimin e krizës ka zgjedhur që të ikë e të kalojë kohë në vizita”, është shprehur ajo.
Ajo ka potencuar se nga njoftimet e qeverisë, kryeministri Kurti ka qëndruar 45 ditë jashtë Kosovës, por “pa sjellë asnjë sukses apo rezultat të vetëm”.
“Gjysmën e kohës në 100 ditët e fundit Kurti e ka kaluar jashtë Kosovës, ai edhe mandatin qeverisës e ka nisur jashtë Kosovës duke bërë fushatë zgjedhore në Shqipëri”.
Siç theksoi Çitaku, në këtë periudhë kohore, qytetarët “e braktisur” nga qeveria, me rritjen enorme të çmimeve, me energji deri në trefish më të shtrenjtuar, me inflacion deri në 14 për qind, zgjidhjen po e shohin “te ikja nga Kosova”.
“Rreth 42 mijë qytetarë kishin lënë Kosovën vetëm vitin e kaluar, ndërsa mijëra të tjerë presin para ambasadave. Qytetarët e kanë votuar Kurtin dhe LVV-në, duke besuar në premtimet e tyre, por ajo çka po shohim është se inflacion më të madh se çmimet kanë pësuar vetë premtimet e kryeministrit”, shtoi ajo.
Çitaku ka treguar se gjatë vizitave të tyre në terren si parti opozitare, “të gjithë” kryetarët e komunave, pa dallime partiake, janë ankuar se kjo qeveri i ka bllokuar të gjitha projektet.
“Në vend se të marrë hapa duke hequr TVSH dhe akcizën, ai po merr vendime arbitrare duke ndërhyrë në caktimin e çmimeve”.
Ajo, po ashtu, ka thënë se qeveria aktuale po tregohet jotransparente edhe në procesin e dialogut.