Valon Prestreshi, ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës(AKK), ka thënë se Qeveria e Kosovës po ndërhyn në përcaktimin e çmimeve tavan dhe dysheme.
Sipas Prestreshit, kjo ka të bëjë me një ekonomi të planifikuar ose ekonomi socialiste.
Prestreshi në emisionin “Five” të Rtv Dukagjini, ka thënë se kjo është një ndërhyrje në tregun e lirë nga Qeveria e Kosovës.
“Shqetësuse, ajo që ka paralajmëruar ministrja Hajdari për caktim të çmimeve tavan sepse ajo nuk ka të drejtë të ndërhyjë në marzhën e fitimit të produkteve”, ka thënë Prestreshi.
Sipas tij, kjo është një logjikë totalisht socialiste, një mundësi për shkeljen e Kushtetutes së Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se ndërmarrjet caktojnë çmimet e tyre në bazë të shpenzimeve operative, e nuk është e logjikshme që të ketë ndërhyrje në organet e pavarura.
Prestreshi ka theksuar se ulja e akcizës së naftës dhe heqja e TVSH-së është shembull ideal për këtë krizë ekonomike. Sipas tij, moskalimi i këtij propozimi në Kuvendin e Kosovës, është qëllim puro politik.
“Pse të ketë inate politike, po pëson qytetari, puro politike, pse të mos pranohet kur është një çështje e mirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, planifikimi buxhetor është një arsyetim i Qeverisë, pasi siç thotë ai, planifikimet buxhetore mund të bëhen duke mos pasur ngritje të çmimeve.
Sipas Prestreshit, si pasojë e krizës ekonomike, kompanitë e vogla po falimentojnë dhe po rëndohet ekonomia e vendit dhe xhepi i qytetarëve.
“Gjatë kësaj kohe, shumë kompani janë koordinuar, i kanë rritur çmimet në bashkërendim, e me këtë ka pësuar qytetari”, ka shtuar Prestreshi.