Zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq nuk është lejuar për herë të dytë të vizitojë Kosovën.
Pasi të martën iu refuzua kërkesa për vizitë, Qeveria e Kosovës njëjtë veproi edhe sot.
MPJ-ja ka thënë se kërkesa për vizitë nuk është bërë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, kurse ka treguar se Pektoviq kishte shkelur rregullat gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.
Por, Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova do të duhej të aprovonte vizitën e Petkoviqit.
Krejtësisht tjetër pamje ka sheshi më i ri në Novobërdë një ditë pas inaugurimit.
Askush prej shumë serbëve që morën pjesë në ceremoni nuk u panë gjatë ditës duke e shfrytëzuar hapësirën e re në Kufcë të Epërme.
Serbët hezitojnë të flasin për tema që lidhen me institucionet në Serbi. Megjithatë banori Bllagoje Naçiq mirëpret ndërtimin e sheshit.
“Nuk mund të jetë më mirë, është dashur të bëhet më herët. Më duket që ka shkuar përmes kryetarit të Novobërdës, nuk e di saktë”, Bllagoje Naçiq, banor serb i Kufcës.
Por në këtë rast, shqiptarët nuk pajtohen me bashkëfshatarët serbë.
Ramadan Sylejmani pas një muaji mbush 83 vjet jetë në këtë fshat.
Ai thotë se për të është i papranueshëm sheshi me emrin “Serbia”.
“Duhet me ndërru, s’du me pa aty Serbia, duhet me shkrujtë Kosovë, jo Serbi le të thojnë qysh dojnë ata. Për atë s’pranoj hiç”, thotë Ramadan Sylejmani, banor shqiptar i Kufcës.
Me investimin nga Serbia nuk pajtohen as banorë të fshatrave të Gjilanit që gjenden afër Kufcës.
“Nuk kisha besu në kohë të sotit me ardhë Serbia me pare të veta me bo një shesh në vendin tonë, Kosovën e pavarur o vllau jem”, thotë Bedrie Musliu, banore e Zhegovcit të Gjilanit.
Të martën, ky shesh planifikohej të inaugurohej në prezencë të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Po Kosova ia ndaloi hyrjen, duke detyruar atë të kthehet mbrapsht pikës kufitare në Dheun e Bardhë.
Për në këtë pikë të kalimit kufitar, Petkoviqi paralajmeroi se do marrë rrugë edhe të mërkurën.
Por as në tentimin e dytë nuk ia doli të hyjë në Kosovë, pasi sërish vizita iu refuzua.
Kjo bëri që Petkoviq të vazhdojë akuzat ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Ardhja ime sot në Konçul ishte para së gjithash mesazh për komunitetin ndërkombëtar i cili si duket është i paaftë ose pretendon të jetë i tillë kur bëhet fjalë për Prishtinën dhe kur shikon mes gishtrinjëve veprimet e Albin Kurtit dhe Prishtinës që çdo ditë shkel marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke përfshirë edhe marrëveshjen për vizitat zyrtare”, thotë Petar Petkoviq, Drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi.
Refuzimin e vizitës, Ministria e Jashtme e Kosovës ka arsyetuar me vonesën e Petkoviqin për të parashtruar kërkesën.
Zëvendësministri, Kreshik Ahmeti thotë se Petkoviq ka tentuar të hyjë në Kosovë pa leje.
Pektoviq, sipas Ahmetit, nuk ka respektuar marrëveshjen gjatë vizitës së kaluar.
“Leja në vizitën e tij të fundit nga institucionet e Republikës së Kosovës ka qenë për pjesëmarrje në ritet fetare dhe nuk i është lejuar vizita në strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë dhe ky i fundit i ka vizituar këto struktura. Pra kjo nuk i kontribuon mirëbesimit mes të dyja vendeve dhe as procesit të dialogut në të cilin të dy palët jemi të përfshira”, ka thënë Zëvëndësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti.
Për këtë çështje është deklaruar Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë për RTV Dukagjini se Kosova do duhej ta lejonte vizitën e Petkoviqit.
“BE-ja është njoftuar për dy njoftime ditëve të fundit për vizitën e drejtorit Petkoviq në Kosovë. Njoftimi i parë proceduralisht nuk ishte në përputhje me Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare, i cili rregullon procedurat për njoftimin dhe kryerjen e vizitave zyrtare. Njoftimi i dytë, megjithatë, ishte plotësisht në përputhje me Marrëveshjet, prandaj vizita duhej të ishte miratuar”, ka thënë Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.
Tutje, Stano thotë se vizitat zyrtare janë të rëndësishme për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve dhe sipas tij, ato nuk duhet të politizohen.
BE-ja kërkon nga të dyja palët të respektojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara, përfshirë atë për vizitat zyrtare.
Zëvëndësministri i Punëve të Jashtme, Ahmeti tregon arsyet e moslejimit të vizitës së Petkoviqit