Gjatë një ligjërate në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ishte kritik ndaj Bashkimit Evropian, Angela Merkel-it dhe administratës së presidentit Biden.
Ai është shprehur se për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, fajtorë për dështimin e arritjes së marrëveshjeve janë Bashkimi Evropian që po e udhëheq dialogun, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njofton “Danas”.
Grenell ka thënë se KFOR-i duhet të tërhiqet nga Kosova sepse prania e KFOR-it zgjat konfliktin, dhe kjo sipas tij, dëmton ekonominë e Kosovës dhe i pengon kompanitë e huaja të investojnë në Kosovë.
Ai shtoi se “dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ku përmendet njohja e pavarësisë së Kosovës nuk e zgjidh problemin”.
Grenell mohoi se punon për Qeverinë e Serbisë, ashtu siç është raportuar më herët nga organizatat e pavarura në Serbi.