Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se nuk ka informacion se kush e ka kryer sulmin në qytetin e Belgorodit.
Deklarata e tij vjen pasi dy helikopterë ushtarakë ukrainas thuhet se kanë goditur një depo nafte të premten e një prillit, në qytetin rus, Belgorod, i cili gjendet rreth 25 kilometra afër kufirit të Ukrainës.
“Nuk mund ta konfirmoj dhe as ta hedh poshtë pretendimin se Ukraina ishte e përfshirë në këtë, thjesht, sepse nuk zotëroj të gjithë informacionin ushtarak”, ka thënë Kuleba.
Siç shkruan Reuters, Kuleba ka thënë se, Ukraina ishte duke pritur për përgjigjen zyrtare të Rusisë ndaj propozimeve të Kievit, të paraqitura në bisedimet e paqes në Turqi, dhe se fuqitë e huaja nuk po e shtynin Ukrainën të bëjë kompromis në negociata.
Ndërkohë, Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se, helikopterët e kanë goditur objektin, pas kalimit të kufirit.
Ndërkaq, sipas kompanisë ruse të naftës, Rosneft, e cila ka në pronësi depon e naftës, askush nuk është plagosur si pasojë e zjarrit.
Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike (NATO), Jens Stoltenberg, teksa ka komentuar njoftimet e Moskës se po ulin operacionet rreth Kievit, ka thënë se, forcat ruse në Ukrainë nuk po tërhiqen. Sipas tij, ato po rigrupohen.
Stoltenberg ka thënë se aleanca ende nuk është bindur se Rusia po negocionte me mirëbesim në bisedimet e paqes me Ukrainën.
Kjo sepse sipas Stoltenberg, objektivi ushtarak i rusëve që nga fillimi i pushtimit nuk ka ndryshuar.
“Sipas inteligjencës sonë, njësitë ruse nuk po tërhiqen, por, po ripozicionohen. Rusia po përpiqet të rigrupohet, rifurnizohet dhe të përforcojë ofensivë e saj në rajonin e Donbasit”, është shprehur Stoltenberg.
Siç shkruan Reuters, ai ka thënë se “mund të presim veprime sulmuese shtesë, duke sjellë edhe më shumë vuajtje”.
“Nuk kemi asnjë ndryshim real në objektivin e vërtetë të Rusisë. Ata vazhdojnë të ndjekin rezultatin ushtarak”, ka shtuar Stoltenberg.
Po ashtu, ai ka konfirmuar se aleatët e NATO-s do të vazhdojnë t’i ofrojnë armë Ukrainës, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Ndryshe, më 17 mars të vitit 2022, Stoltenberg në një konferencë për media ka thënë se “lufta e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ka shkundur paqen dhe shokuar botën”.
Ai kishte lavdëruar forcat e Kievit dhe ishte zotuar se do të vazhdojë mbështetja për to.
Megjithatë, që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina.