Një zyrtar policor dhe gjashtë qytetarë janë arrestuar, të enjten e 14 korrikut, gjatë një operacioni të realizuar të mërkurën mbrëma në Pejë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ata dyshohen se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
“Muaj më parë hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale të PK-së në Pejë) dyshohej se ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme. Në kuadër të veprimeve hetimore mbrëmë nga hetuesit e IPK-së, është zbatuar urdhëri i kontrollit në një lokal në rrugën ‘Hoxhë Tahsini’ në Pejë meqë ekzistonte dyshimi i bazuar se aty ishte duke u zhvilluar aktiviteti i kundërligjshëm respektivisht dyshohej për veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm'”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit nga IPK-ja, janë sekuestruar disa gjëra që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale në këtë rast.
Në njofitm thuhet se hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.