Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje(VV), Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka bërë të ditur se të enjten e 21 korrikut nga ora 10:00, do të mbahet seanca plenare e radhës. Kjo seancë do të jetë vazhdim i disa pikave të patrajtuara, ndërsa pastaj do të fillojë seanca e re me pikat e rendit të ditës.
Kusari-Lila bëri të ditur se në seancën plenare si rend dite, do të jetë mocioni përmbajtjësor i propozuar nga grupi parlamentar i VV-së për adresimin e rezolutës që do të merret me masat që do të ndërmarrë Qeveria për rritjen e çmimeve si dhe debati parlamentar për mosliberalizimin e vizave nga BE për Kosovën.
Po ashtu në rend dite do të jenë edhe disa shqyrtime projektligjesh, si shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe Projekt – Idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë”, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-120 për Ushqimin dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021.