Të qenit një influencues i mediave sociale është një nga zgjedhjet kryesore të karrierës për të rinjtë e ditëve të sotme mirëpo në rrëfimet e kësaj “karriere”, shpeshherë shmangen rrëfimet e një rruge të mbushur me boshllëqe pagash dhe më shumë.
Një sondazh i vitit 2019 zbuloi se zgjedhja e parë e fëmijëve lidhur me profesionin që do donin të kishin të ardhmen do të ishte më përpara YouTuber sesa astronautë.
Nuk është për t’u habitur që të rinjtë duan të bëjnë të ardhurat e tyre duke krijuar përmbajtje në mediat sociale.
Tregu global i influencuesve vlerësohej të kishte vlerë 13,8 miliardë dollarë (11,2 miliardë £) në vitin 2021. Influencuesit individualë si Zoella dhe Deliciously Ella vlejnë respektivisht rreth 4,7 dhe 2,5 milion £, transmeton “BBC“.
Rreth 300,000 njerëz të moshës 18 deri në 26 vjeç po përdorin tashmë krijimin e përmbajtjes si burimin e tyre të vetëm të të ardhurave.
Mënyrat e jetesës që shohim të reklamuara në mediat sociale janë joshëse, por a jemi duke hyrë në një rrugë të qëndrueshme karriere?
Nën sipërfaqen me shkëlqim fshihen të ardhurat e pasigurta, pabarazia e pagave bazuar në seksin, racën dhe aftësinë e kufizuar dhe çështjet e shëndetit mendor.
Reklama
Ndikuesit e suksesshëm do të jenë të parët që do të pretendojnë se çdokush mund t’ia dalë në industri. Konkurrentja e Love Island, e kthyer tashmë në një influencere, Molly-Mae Hague, u kritikua se tha se të gjithë “kanë të njëjtat 24 orë në ditë”, sepse në realitet, pak njerëz “ia dalin” financiarisht si ndikues në shoqëri.
Ekspertja e ekonomisë së mediave sociale, Brooke Erin Duffy hulumtoi karrierat e blogereve të modës, blogerëve të bukurisë dhe stilistëve.
Ajo zbuloi një hendek të madh midis atyre që gjejnë karriera fitimprurëse si ndikues dhe të gjithë të tjerëve. Për shumicën e njerëzve që përpiqen të bëhen ndikues, projektet e tyre të pasionit të krijimit të përmbajtjes shpesh bëhen punë falas për markat e korporatave.
Në një raport të prillit 2022, komiteti Dixhital, Kultura, Media dhe Sporti i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar (DCMS) identifikoi pabarazinë e pagave si një çështje kyçe në industrinë e ndikuesve.
Ka boshllëqe në paga në bazë të gjinisë, racës dhe aftësisë së kufizuar. Raporti i DCMS-së i referohej një studimi të vitit 2020 nga “MSL Group”, një firmë globale e marrëdhënieve me publikun, e cila zbuloi se ekziston një hendek racor prej 35% midis ndikuesve të bardhë dhe të zinj.
Adesuwa Ajayi, drejtues i talenteve dhe partneriteteve në “AGM Talent”, hapi një llogari në Instagram të quajtur “Influencer Pay Gap” për të nxjerrë në pah këto pabarazi.
Llogaria ofron një platformë ku ndikuesit ndajnë në mënyrë anonime histori rreth përvojave të tyre të bashkëpunimit me markat. Përveç pabarazive racore, llogaria ka ekspozuar gjithashtu boshllëqe në paga të përjetuara nga influencuesit me aftësi të kufizuara dhe ndaj komunitetit LGBTQ+.
Njëherësh, raporti i DCMS-së vuri në dukje një “mungesë të përhapur të mbështetjes dhe mbrojtjes së punësimit”.
Shumica e influencuesve janë të vetëpunësuar, shpesh duke përjetuar të ardhura të paqëndrueshme dhe mungesë mbrojtjeje, gjë e cila vjen me punësimin e përhershëm siç është e drejta për pagë për sëmundje dhe pushime.
Krijuesit e përmbajtjes janë në thelb punëtorë të pavarur me orë të gjata dhe fitime të paqëndrueshme.
Rreziqet e vetëpunësimit përkeqësohen në industrinë e ndikimit nga mungesa e standardeve të industrisë dhe transparenca e pakët e pagave. Ndikuesit shpesh detyrohen të vlerësojnë vlerën e tyre dhe të përcaktojnë tarifat për punën e tyre.
Si rezultat, krijuesit e përmbajtjes shpesh nënvlerësojnë punën e tyre krijuese dhe shumë përfundojnë duke punuar falas.
Fuqia në platformat
Ndikuesit janë gjithashtu shpesh në mëshirën e algoritmeve, programet kompjuterike të prapaskenave që përcaktojnë se cilat postime u shfaqen, në çfarë radhe, përdoruesve.
Platformat ndajnë pak detaje rreth algoritmeve të tyre, megjithatë ato përfundimisht përcaktojnë se kush dhe çfarë fiton(shikueshmëri dhe ndikim në mediat sociale).
Në punën e saj me influencuesit në Instagram, ekspertja e algoritmeve, Kelley Cotter thekson se si ndjekja e ndikimit bëhet “një lojë dukshmërie”.
Ndikuesit ndërveprojnë me platformën (dhe algoritmin e saj) në mënyra që ata shpresojnë se do të shpërblehen me dukshmëri.
Në këtë kërkim, ajo zbuloi se ndikuesit ndajnë momente gjithnjë e më intime dhe personale të jetës së tyre, duke postuar pa pushim në një përpjekje për të qëndruar relevant.
Kërcënimi i padukshmërisë është një burim i vazhdueshëm pasigurie për influencuesit, të cilët janë nën presion të vazhdueshëm për të ushqyer platformat me përmbajtje.
Kriza e shëndetit mendor
Prania e vazhdueshme në internet përfundimisht çon në një nga çështjet më të përhapura të industrisë së ndikuesve e që ka të bëjë me shqetësimet e shëndetit mendor.
Ndikuesit mund të lidhen me hapësirat e punës dhe audiencën e platformës së tyre në çdo kohë të ditës apo natës dhe për shumë njerëz, nuk ka më një ndarje të qartë midis punës dhe jetës.
Së bashku me frikën e humbjes së dukshmërisë, kjo mund të çojë që ndikuesit të punojnë së tepërmi dhe të përballen me probleme të shëndetit mendor.
Dukshmëria në internet gjithashtu i vë krijuesit e përmbajtjes në rrezik të abuzimit të konsiderueshëm në internet si në lidhje me atë se si duken ose çfarë bëjnë por, edhe me perceptimet negative të ndikimit si karrierë.
Potenciali i abuzimit në internet mund të çojë në probleme të shëndetit mendor dhe fizik, duke përfshirë depresionin, ankthin, dismorfinë e trupit dhe çrregullimet e të ngrënit.
Megjithëse të bëhesh një ndikues mund të duket tërheqëse për gjithnjë e më shumë njerëz, pjesa e poshtme e errët e industrisë duhet të bëhet e dukshme dhe të përmirësohet përmes rregullimit të përmirësuar të punësimit dhe ndryshimit kulturor të udhëhequr nga industria.