Pas takimit me kryesuesin e OSBE-së, dhe njëkohësisht ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Zbigniew Rau, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se kanë diskutuar për rolin e OSBE-së, në mbështjen e institucioneve të Kosovës.
“Në takim me ministrin e Jashtëm të Polonisë, Zbigniew Rau, i cili po viziton Kosovën edhe si kryesues aktual i OSBE-së, diskutuam për rolin e OSBE-së në mbështetjen e institucioneve të Republikës përgjatë dy dekadave të fundit, si dhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja Osmani, ka theksuar se, sipas saj, Kosova ka shënuar progres në formimin e sundimit të ligjit, të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
“Kosova ka shënuar progres të vazhdueshëm në forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, prandaj presim përkrahje në rrugëtimin tonë euroatlantik nga shtetet që ndajnë vlera të njëjta”, vijon postimi i saj.
Përveç takimit me presidenten Osmani, Ministri Rau është takuar edhe me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz
Të premten, ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.