Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se do të propozohen dy rezoluta në Kuvend, një për liberalizimin e vizave, e tjetra për ngritjen e çmimeve.
Tahiri tha se sa i përket liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës janë të diskriminuar padrejtësisht dhe se çështja e meriton seriozitetin e Qeverisë.
“Si grup parlamentar ne kemi kërkuar një debat në Kuvend, që lidhet drejtpërdrejt me diskriminimin dhe padrejtësinë që u behët qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave. Do ta prezantojmë një rezolutë, në mënyrë që Kuvendi ta adresojë këtë çështje në instancën më të lartë”.
“Ajo që shohim nga kjo qeveri është një mungesë serioze e vizionit dhe përkushtimit për ta adresuar agjendën evropiane”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, për ngritjen e çmimeve, ai tha se do të propozohet një rezolutë që kërkon nga Qeveria vendosjen e çmimeve “tavan”, pasi sipas tij, ekonomia është duke shkuar drejt kolapsit.
“Një çështje tjetër që u trajtua ishte ngritja e çmimeve. Ekonomia e Kosovës është para kolapsit. Çmimet janë në nivelin më të lartë të mundshëm. Andaj, do të propozohet edhe një rezolutë në Kuvend, të kërkohet nga Qeveria që të ketë një tavan të çmimeve”, ka shtuar Tahiri.
Ndërsa, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje(VV), Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka bërë të ditur se të enjten e 21 korrikut nga ora 10:00, do të mbahet seanca plenare e radhës. Kjo seancë do të jetë vazhdim i disa pikave të patrajtuara, ndërsa pastaj do të fillojë seanca e re me pikat e rendit të ditës.
Kusari-Lila bëri të ditur se në seancën plenare si rend dite, do të jetë mocioni përmbajtjësor i propozuar nga grupi parlamentar i VV-së për adresimin e rezolutës që do të merret me masat që do të ndërmarrë Qeveria për rritjen e çmimeve si dhe debati parlamentar për mosliberalizimin e vizave nga BE për Kosovën.