Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se gjatë ditës së premte në Hagë i ka takuar, ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin e Kosovës, Rexhep Selimin.
Edhe pse në qendrën e paraburgimit në Hagë gjenden edhe ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari tjetër Kadri Veseli, Bislimi nuk i ka takuar ata. Ai nuk i ka përmendur fare në postimin e tij në rrjetin social Facebook.
Ndërkaq, për Krasniqin e Selimin, ai ka shkruar se ishin të disponuar dhe kishin ende besim në drejtësi
“Sot vizitova në Hagë mikun tim Rexhep Selimin. Si gjithnjë i disponuar dhe me besim të plote në drejtësi. Edhe pse larg Kosoves, nuk i kishte ikur as edhe një detaj i vetëm nga zhvillimet politike në vend. Gjithashtu pashë edhe bacën Jakup që po mbahej jashtëzakonisht mirë. Tri orë ikën si 30 minuta”, ka shkruar Bislimi.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’iu rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se këto krime janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.