Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) të shtunën ka bërë të ditur se Serbia ua ka ndaluar pingpongistëve U21 nga Kosova, pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian, i cili po mbahet në Serbi.
Në reagimin e Komitetit Olimpik thuhet se “politika serbe sërish përzihet në sport, pingpongistëve iu mohohet pjesëmarrja në Evropian!”.
“Rasti i fundit ndodhi me pingpongistët tanë, të cilëve iu mohua pjesëmarrja me të drejta të barabarta me shtetet tjera në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21, që po mbahet në Beograd të Serbisë”, vijon njoftimi.
Në njoftim thuhet se edhe Komiteti Olimpik i Kosovës ka qenë në kontakt me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, dhe se kjo nuk është hera e parë që politika serbe ndikon në sport.
“Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë”, thuhet në reagimin e tyre.
Në fund të reagimit thuhet se “KOK shpreson që Federata Evropiane e Pingpongut (ETTU), të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit të Evropianit, në këtë rast Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë”.