Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, në lidhje me menaxhimin e krizën ekonomike që po kalon Kosova.
Abdixhiku e ka quajtur kryeministrin Kurti, popullist që “ nuk e njeh më realitetin”.
Sipas tij, Kurti është “i dehur nga jeta prej pushtetari”, dhe se “ai i ka krijuar vetes një Kosovë paralele ku gjërat s’mund të jenë keq, kur ai vetë është mirë”.
Për këtë arsye, sipas Abdixhikut, kryeministri i Kosovës, nuk e njeh rritjen e çmimeve dhe vështirësitë e familjeve kosovare.
Kryetari i LDK-së, ka shkruar në Facebook se, Kosova është në krizë më të thellë se çdo vend i Evropës, dhe sipas tij, Qeveria nuk po i del në krah qytetarëve të saj.
“Kosova është në krizë shumë më të thellë se çdo shtet evropian – e ne nuk kemi Qeveri që u del në krah qytetarëve të saj. As atëherë kur inflacioni arrin frikshëm në 14.1% e as atëherë kur propozimet e zgjidhjet i ka që nga marsi i këtij viti në tavolinë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai e ka postuar një foto ku në të shihet se në Kosovë vlera e inflacionit është në 14.1%, më e larta nga vendet e Evropës. Sipas fotos, vetëm Rusia dhe Ukraina kanë inflacion më shumë sesa Kosova.