Hajrullah Çeku ka bërë të ditur se planifikon ta ndjekë penalisht Serbinë, pasi kjo e fundit, ua pamundësoi pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21, i cili po mbahet në Beograd, pingpongistëve nga Kosova.
Në një konferencë për media, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se Federata e Pingpongut ka ndërmarrë hapat e parë për të dorëzuar padi në Komisionin Disiplinor të Federatës Evropiane të Pingpongut.
“Kemi përsëri sjellje destruktive nga shteti i Serbisë. Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve tanë dhe shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare të sportit. Serbia vazhdon me destruktivitet dhe për këtë jemi duke i njoftuar të gjitha instancat relevante evropiane. Organizatat tona sportive do të procedojnë me veprime ligjore në institucionet përkatëse ndërkombëtare. Deri në këtë moment Federata e Pingpongut të Kosovës ka dorëzuar padi në Komisionin Disiplinor të Federatës Evropiane të Pingpongut. Ky është hapi i parë, por jemi në koordinim edhe me federatën përkatëse edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës që beteja jonë ligjore me Serbinë të vazhdojë edhe në instancat tjera ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se kjo nuk është hera e parë që sportistëve kosovarë u ndalohet pjesëmarrja.
Të shtunën, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë të ditur se Serbia ua ka ndaluar pjesëmarrjen pingpongistëve U21 nga Kosova, në Kampionatin Evropian, i cili po mbahet në Serbi.
Në reagimin e Komitetit Olimpik thuhet se “politika serbe sërish përzihet në sport, pingpongistëve iu mohohet pjesëmarrja në Evropian!”.
Serbia ua ndalon pjesëmarrjen pingpongistëve nga Kosova në Kampionatin Evropian