Çiklizmi është një nga sportet më popullore në botë dhe mjet transporti në shumë vende të botës, veçanërisht në qytetet evropiane me popullsi të dendur.
Ky lloj i sportit ofron një sërë përfitimesh shëndetësore dhe zvogëlon rrezikun e kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe diabetit që janë të përhapura në stilet e jetesës.
Çiklizmi, është jashtëzakonisht i përhapur edhe në Kosovë.
Marakli t’Biçiklave, është grupi më i madh çiklistëve në vendin tonë që funksion për disa vite me radhë, i cili ka për qëllim avancimin e sportit të çiklizmit, krijimin e kushteve për aktivitete sportive dhe kualitative, duke promovuar jetesë të shëndeteshme dhe ambient të pastër.
Berat Rakovica, është themeluesi i këtij grupi, i cili përmes një interviste për portalin Dukagjini, ka ndarë momente nga eksperinca e tij me këtë lloj sporti. Ai ka treguar se si filloj këtë rrugëtim?
“Eksperienca ime me grupin ka filluar qysh në prill të vitit 2017 kur edhe ri-fillova ta shfrytëzoj biçikleten si mjet për kurimin e disa sëmundjeve kockore dhe në të njëjtën kohë si pajisje rekreative pasi që kur çiklonim në Parkun e Gërmisë shpesh takoheshim me çiklist të tjerë. Ashtu, edhe vendosa të krijoj një grup e që të dilnim së bashku pasi që ishte më motivuse që të vazhdonim me udhëtime edhe më të gjata se Gërmia”, ka thënë Rakovica.
Ndikimi i pandemisë në rritjen e grupit
Krijimi i një grupi dhe vazhdimësia e tij janë sfidë në vete por, grupi Marakli t’Biçiklave, nuk janë përballur me një situatë të tillë, pasi që interesimi ka qenë i kënaqshëm dhe ky grup është rritur shumë shpejt.
“Interesimi në vitin e parë ka qenë kryesisht nga miqtë e rrethit të ngushtë nga kryeqyteti, ku arritëm për një kohë të shkurtë 700 antarë të moshave kryesisht të reja 17-26 vjeç”.
“Pasi që ne vërejtëm së shoqërisë tonë i duhet një përfaqësim si komunitet vazhduam me ftesa për të na u bashkuar edhe nga komunat tjera. Por, vëmendje duhet të ketë edhe rritja masive e përkrahësve të grupit gjatë kohës së pandemisë ku nga rreth 2 mijë anëtarë arritëm në 17 mijë antarë në 1 vjeçarin e parë të pandemisë duke vazhduar deri më sot ku kemi 30 mijë anëtarë që na janë bashkuar”, është shprehur ai.
Por, cilat kanë qenë organizimet dhe destinacionet e tyre të para si komunitet i çiklistëve?
“Aktiviteti i parë i organizuar si grup ka qenë ai në drejtim të fshatit Dritan në komunën e Drenasit (monumenti në fjalë njihet si Guri i Plakës), dhe se numri i pjesëmarrësve ishte rreth 11 çiklistë”, ka shtuar çiklisti.
Mungesa e infrastrukturës
Ndërsa sipas tij çiklizmi në Kosovë, preferohet shumë, por, ana infrastrukturore nuk është e mjaftueshme për praktikimin e këtij sporti.
“Preferencat janë të mëdha, mirëpo mundësit dhe kushtet përreth për çiklizëm janë në disfavorë, e me ç’rast ka numër të mangët të çiklistëve që do duhet të ishin të rregullt në perdorimin e biçikletës jo vetëm si mjet sporti e rekreacioni, por, fillimisht si mjet për transport alternativ”, ka theksuar Rakovica.
Sportet në përgjithësi kanë ndikimi jashtëzakonisht të madh si nga ana shëndetësore po ashtu edhe nga ana psikologjike, por Rakovica ka treguar për efektet pozitive të çiklizmit.
“Dobitë janë të panumërta por po i radhiti prej benefitëve shëndetësore të zemrës (kardiovaskulare), rrit forcën dhe fleksibilitetin, përmirëson kyçet, ulë nivelin e stresit, përmirëson përqëndrimin dhe kthjellë mendjen në përgjithësi, ulë yndyrën në gjak, mban peshën e trupit të balancuar si dhe parandalon një varg të madh të sëmundjeve! Por edhe: kursen kohën, paratë (karburant, transport), rrit socializimin dhe humanitetin”, ka numëruar ai.
Por, sa qytete përfshin grupi Marakli t’Biçikletave?
“Grupi jonë siç e dini kryeqendër ka Prishtinën, por pas saj vjen Prizreni, Podujeva, Peja dhe shumë qytete tjera që kanë hallet dhe objektivat e njëjta me Marakli t’Biçiklave”, ka shtuar çiklisti.
Një grup i madh prej 30 mijë antarësh që fuksionon në disa qytete të Kosovës padyshim që ka pasur organizime në kategori të ndryshme, por si ka rrjedh procesi i këtyre ngjarjeve?
“Aktivitetet tona deri në këtë vit kanë qenë të përziera pra kemi mbajt aktivitete malore dhe ato rrugore së bashku apo thënë më mirë nuk i kemi veçuar. Mirëpo, qysh nga 2022 kemi riplanifikuar kategorizimin si të rrugëtimeve po ashtu kemi shtuar edhe disa veçori dhe plane tjera e që një prej tyre do të jetë rrugëtimi jashtë Kosovës me biçikletë”, ka thënë udhëheqësi i këtij grupi.
Aktivitetet organizohen në bazë të destinacioneve më të përshtatshme për këtë lloj sporti, por cilat janë vendet dhe rrugët që kanë qenë cak i tyre.
“Fatkeqësisht më të frekuentuara janë rrugët e veturave pasi që nuk ka kushte infrastrukturore dhe shumicën e çiklimit ne duhet ta bëjmë së bashku me veturat, ndërsa ato të përshtatshme janë në terrene në periferi, ku çasja e veturave është më e vogël apo krejtësisht në mal me biçikleta malore”, ka shtuar ai.
Si çdo sport tjetër edhe çiklizmi ka stinën më të përshtatshme për organizimin e aktivteteve dhe garave të ndryshme, ndërsa Rakovica tregon se cila është stina më e përshtatshme dhe pse?
“Koha nëse mendojmë për stinën patjetër që është Pranvera është e preferuara jonë, ndërsa ora dallon varësisht se sa e gjatë është dita pra verës zakonisht nisjet bëhen në ora 09:00, ndërsa në pranverë e vjeshtë nga ora 10:00”.
“Pse është më i mirë çiklizmi në Pranverë, ka edhe shumë arsye pse e kam cek një prej tyre është pasi që na zgjon nga temperaturat e ulta dhe na jep përsëri atë shpirtin gjallërues, sepse natyra fillon të marr ngjyrë, erë, shije dhe sepse njerëzve fillon të ju kthehet vullneti për të shijuar natyrën”, ka thënë më tej Rakovica.
Dashuria për biçikletën
Ndërsa Vjosa Mustafa, është pjestare e këtij grupi tashmë e disa kohë, por çfarë e shtyri atë që të merret me një aktivitet të tillë?
“Si fëmijë kam bërë sporte të ndryshme përpos aktivitetit me biçikletë, normalisht jo si profesionistë. Dashuria për biçikletën te unë ka ekzistuar gjithmonë, por, koha kur kam filluar që ta përdori me shumë pas pauzimit shumëvjeçar ka qenë koha e pandemisë”.
“Arsyeja e përdorimit ka qenë si mjet transporti vajtje/ardhje për në punë, mirëpo tash përveç si mjet transporti e përdori edhe më shumë sepse në vete ngërthen shumë benefite tjera”, është shprehur ajo.
E pyetur për efektet anësore të këtij sporti, ajo ka thënë që ka pasur ndikim pozitiv tek ajo në disa aspekte.
“Përveç aspektit financiar që kursen shumë, me përdorimin e biçikletës, ajo gjithashtu ka ndikuar në mirëqënien time mendore dhe fizike”, ka shtuar Mustafa.
Femrat dhe çiklizmi
Por, sa janë gjinia femërore të interesuara të merren me një sport të tillë?
“Viteve të fundit vërehet një rritje e numrit të femrave që e përdorin biçikletën në krahasim me të kaluarën por përkundër kësaj është për të ardhur keq që tek ne interesimi nga gjinia femërore për çiklizmin nuk është i kënaqshëm”, është shprehur çiklistja.
Edhe pse sipas Mustafës, interesimin i femrave për çiklizëm është i pakënaqshëm, ajo ka radhitur gjërat bazike që duhet të dijë gjithsecili që dëshiron të merret me këtë lloj të sportit.
“Të gjithë ata që dëshirojnë të inkuadrohen në këtë sport por nuk e kanë guximin ose e neglizhojnë, i inkurajoj ta bëjnë sepse në çfarëdo moshe kurr nuk është vonë të fillojnë. Për moshat më të shtyera dhe ata persona që kanë ndonjë problem shëndetësor që mendojnë se përdorimi i biçikletës e përkeqëson gjendjen e tyre shëndetësore, fillimisht është mirë të merret mendimi i mjekut përkatës varësisht prej problemit”.
“Ka prej atyre që mendojnë që është sport i rrezikshëm por, të veprosh si një shofer, të jesh i parashikueshëm, të kesh rroba me ngjyra të ndritshme, të parashikosh sjelljet e shoferëve, të kesh duart gati në frena, përcjellja e shenjave të trafikut dhe qëndrimi në korsinë tënde, e përmirëson sigurinë tonë gjatë çiklizmit. Ka edhe prej atyre që mendojnë se të ngasësh biçikletë kërkon pajisje të shrenjta, të cilat është mirë t’i kesh por ato mund të vijnë më vonë. Nevojat bazë për çiklizëm jeni vetëm ju, biçikleta dhe helmeta”, ka përfunduar ajo.
Ndryshe sportet konsiderohen aktivitete të domosdoshme për njeriun që të ketë jetë të shëndetshme, me të cilat çdo person pavarësisht moshës duhet të merret dhe ti ketë në rutinën e tyre ditore sepse përmirësojnë mënyrën e jetesës, i bëjnë më të qëndrueshëm dhe ndikojnë pozitivisht në shëndetin e tyre.