Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, si masë preventive kundër përhapjes së virusit, po llogaritet marrja e dozë së katërt të vaksinës antiCovid. Këtë e ka rekomanduar Ministria e Shëndetësisë dhe e kanë përkrahur dhe profesionistët shëndetësorë, duke e konsideruar se mbyllja nuk është opsion.
Arben Vishaj, Drejtori i Klinikës Infektive ka theksuar se situata epidemiologjike nuk është shqetësuese që të shkohet drejt mbylljes.
“Për momentin kemi mjaftueshëm barna esenciale për trajtimin e pacientëve me COVID. Rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik duhet të respektohen nga të gjithë ne. Vendimet e Qeverisë duhet t’i zbatojmë në përpikëri të gjithë ne. Unë nuk mendoj që mbyllja është opsion dhe nuk mendoj që situata epidemiologjike për momentin është e tillë, që të ketë mbyllje”, ka thënë Vishaj, raporton EO.
“Duket se COVID-i lë pasoja sidomos në mushkëri, por edhe në organe të tjera. Kjo gjendja post Covid mund të zgjasë dy muaj, tre muaj nganjëherë edhe me vjet. Dhe padyshim që COVID-i lë pasoja serioze dhe të rënda në shëndetin e përgjithshëm të pacientëve”.
Infektologu, Ilir Tolaj, rekomandon që çdokush që ka vullnet, të vaksinohet me dozën e katër.
“Autoritet botërore po rekomandojnë që të vaksinohen personat e grupmoshave të caktuara mbi 60 vjeç ose ato me sëmundje kronike edhe me dozën e katërt. Prandaj rekomandimi im është që çdokush që ka vullnet për ta shtuar imunitetin e vet, të vaksinohet edhe me dozën e katërt”.
Ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që personat mbi 60 vjeç të vaksinohen me dozën e katër të vaksinës.