Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një postim në Facebook ka shkruar se kur organet e rendit ndërmarrin veprime kundër krimit të organizuar, ky veprim duhet të jetë i menduar mirë dhe i vendosur.
“Kohët e fundit, Policia e Kosovës, në çdo orë të ditës e të natës, ka qenë në krye të detyrës për sigurimin e rendit dhe luftën ndaj kontrabandës. Për ta kryer detyrimin, policëve tanë u duhet të rrezikojnë edhe jetën. Në rastin e natës së shkuar, pas sulmit të kryer prej kontrabandistëve mbi patrullën e policisë, policët tanë e kryen më së miri operacionin. Të dy kontrabanduesit u ndaluan”, ka shkruar Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme ka shtuar se zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen, por edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht. Ndërkohë, prokurorja e Prokurorisë Themelore e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues ndaj policisë.
“Hezitimi për të vepruar i organeve të drejtësisë, përkthehet automatikisht në fuqizim të kriminelëve, dhe rritje të vetëbesimit te ta”.
Sveçla ka shtuar se duhet të ndodhë e kundërta, organet e drejtësisë duhet të jenë të vendosura dhe kriminelët të hezitojnë. Kriminelët nuk duhet të mendojnë se mund të sulmojnë policinë e pastaj të hedhin paqe. Organet e shtetit, të rendit dhe të drejtësisë kanë vetëm një qëllim “ta kthejnë rendin dhe sigurinë në normalitet, por jo sulmin ndaj policisë sonë e as thyerjen e rregullave e ligjeve”.
“Kam nderimin maksimal dhe mirënjohjen e lartë për policët që rrezikojnë edhe jetën për të vënë në zbatim ligjet e shtetit të Kosovës. Çdo tentimvrasje ndaj tyre duhet ndëshkuar rreptë dhe shpejt, pa asnjë hezitim e me pjesëmarrjen e të gjithë institucioneve sipas rolit e detyrave”, ka thënë ai.