Qindra mërgimtarë ia kanë mësy Kosovës këto ditë, përfshirë me vetura. Me të mbërritur në pikat kufitare ata nisin procedurat e njëjta, përfshirë pagesën e polisave të sigurimit.
Por, ata nuk kanë informacione se kjo pagesë edhe këtë vit po kompensohet nga Qeveria e Kosovës.
“Pagujta 15 euro për dy javë. Nuk e kam dit që mundem as me i marr parët e le mo online. Po nëse ekziston mundësia i tërheqi paret”, ka thënë Hasan Hyseni, mërgimtar nga Gjermania.
Njësojë pagesën në kufi e ka kryer edhe Naim Kryeziu, që jeton në Suedi, e i cili nuk dinte për vendimin e Qeverisë.
“Po paguajta 20 euro. Unë nuk e di a mundem dhe si mundem me i marrë paret e polises se sigurimit. Po edhe mos me i marrë so me rëndësi, le të rrijnë për shtetin”, thotë Naim Kryeziu, mërgimtar nga Suedia.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka vendosur që të paguhen polisat e sigurimit për mërgimtarët derisa sipas procedurave, ata mund të aplikojnë përmes internetit dhe pastaj paratë do t’u kompensohen nga Ministria e Financave.
Por, këtë vendim po e kundërshton Institut GAP.
“Pagesa e polisave kufitare përmes buxhetit shtetëror është kundërshtuar nga organizata të shoqërisë civile, duke e konsideruar të paarsyeshme dhe keqpërdorim të buxhetit të taksapaguesve të varfër për pagesën e sigurimeve të veturave private. Vendimi është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve të sektorit privat. Kjo për faktin se është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare. Në aspekt afatgjatë, institucionet duhet të sigurohen që numri i veturave të paregjistruara dhe në qarkullim të ulet nga 30% në 5%, dhe kësisoj, të largohet edhe pengesa praktike për aplikim për anëtarësim në “Kartonin e Gjelbër”, thotë GAP.
Kosova ende nuk është anëtare e Kartonit të Gjelbër, derisa sipas Qeverisë është duke u punuar për këtë.