Gjatë të dielës së 17 korrikut, një grup i studentëve kishin kërkuar që ta vizitonin Prekazin, vizitë kjo e cila, do të realizohej në kuadër të Universitetit të Prishtinës.
Por, tifozët e klubit të Drenicës “Shqiponjat e Zeza”, kanë bërë të ditur se së bashku me disa pjesëtarë të organizatës së veteranëve, kanë penguar hyrjen e studentëve serbë në Prekaz.
Sa i përket kësaj ngjarjeje, ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook, ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.
Ai është ndjerë i shqetësuar me pamjet që ka parë, ku shihet pengimi i disa studentëve serbë për ta vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Sipas tij, këta studentë do të kishin pasur rastin të njiheshin me luftën dhe sakrificën e familjes Jashari.
“Jam i shqetësuar me disa pamje që tani shikova ku shihet se janë penguar për ta vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” disa studentë ndërkombëtar, mysafirë në Kosovë, të cilët do të kishin rastin që për së afërmi të njihen me luftën, sakrificën dhe historinë e familjes, e në veçanti të rinjve të familjes sonë që kur ishin në moshën edhe me të re se të këtyre vizitorëve dhanë më të shtrenjtën jetë që bashkëmoshatarët e tyre të jetojnë e veprojnë të lirë”, ka shkruar Jashari.
Aksionin e sotëm për t’i ndaluar studentët e quan në kundërshtim me traditën shqiptare në raport me musafrin.
Ai ka shtuar se ky memorial i përket sakrificës dhe rezistencë për liri, dhe është vend i duhur për çdokënd që dëshiron ta dijë vlerën e lirisë.
“Memoriali i përket sakrificës dhe rezistencës për liri dhe si i tillë është vend i duhur për çdokënd që dëshiron të dijë vlerën e lirisë, duke përfshirë edhe ata që tani distancohen dhe njohin gjenocidin serb në Kosovë”, ka vazhduar Jashari.
Gjithashtu, ai tha se i kupton edhe reagimet e “Shqiponjave të Zeza”, që sipas tij, ishin të ndikuar nga lajmet me tituj nxitës.
“Në anën tjetër i kuptoj edhe reagimet e ‘Shqiponjave të Zeza’ që të ndikuar nga lajme me tituj nxitës dhe nga emocionet realizuan një aksion jo të menduar aq mirë, por gjithsesi pa ndonjë qëllim të keq, andaj edhe duhet mirëkuptuar”, ka shkruar me të tjerash Jashari.
Për fund, ai uroi që raste të tilla që prishin imazhin e shtetit dhe shoqërisë të mos përsëriten.
Tifozë e veteranë lufte bllokojnë hyrjen e kompleksit memorial “Adem Jashari”