Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar dy figura të rëndësishme në qeverinë e tij, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Shefin e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës, transmeton “CNN“.
Përmes një videoje, Presidenti i Ukrainës, Zelensky ka thënë se më shumë se 60 ish-punonjës tani po punojnë kundër Ukrainës në zonat e pushtuara nga Rusia.
“Sot mora një vendim për të hequr nga detyra Prokurorin e Përgjithshëm dhe për të shkarkuar Shefin e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij të natës me video.
Dy zyrtarët e shkarkuar janë Prokurorja e Përgjithshme, Iryna Venediktova dhe kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror (SBU), Ivan Bakanov, një bashkëpunëtor prej kohësh i presidentit.
Zelensky ka thënë se shumë zyrtarë brenda të dy departamenteve dyshoheshin për tradhti.
“Deri sot janë regjistruar 651 procedime penale për tradhti dhe veprimtari bashkëpunuese të punonjësve të prokurorive, organeve të hetimit paraprak dhe organeve të tjera ligjzbatuese”, ka thënë ai.
Njëherësh, ish-kreu i Drejtorisë kryesore të Shërbimit të Sigurisë në Krime është arrestuar nën dyshimin për tradhti.
Të gjithë ata që dyshohen se së bashku me të ishin pjesë e një grupi kriminal që punonte në interes të Federatës Ruse, do të mbajnë përgjegjësi gjithashtu. Bëhet fjalë për transferimin e informacioneve sekrete te Rusia dhe fakte të tjera të bashkëpunimit me shërbimet speciale ruse.