Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në raportimin e tij para Komisionit për Integrime Evropiane, ka deklaruar se partitë opozitare nuk përfitojnë duke i paraqitur, sipas tij, sukseset e Qeverisë si dështim para Bashkimit Evropian(BE).
Bislimi ka thënë se deklarimet e opozitës “duken keq në rrafshin ndërkombëtar”, duke theksuar se, ajo që është bërë në procesin e dialogut, sipas tij, është shumë më e mirë se në vitet e kaluara.
“Qeveria assesi se nuk e ndan opinionin e juaj se ka pasur vonesa, ose ngecje ose dështime. Edhe mendoj që sa më herët ky fjalor të korrigjohet do të jetë më mirë për ecurinë e proceseve të vendit në tërësi”, deklaroi Bislimi, duke iu përgjigjur deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.
Ndërkaq, ai ka thënë se partitë duhet të jenë të bashkuara në qoftë se duan që të realizohet synimi drejt BE-së, e njëherësh, edhe “t’i shtyjnë agjendat përpara”.
“Ajo që kemi bërë ne në vitin e kaluar, është shumë, shumë, shumë më e mirë sesa ajo që është bërë deri vitin e kaluar në agjendën e integrimeve evropiane dhe është shumë më e mirë se ajo që kanë bërë vendet e rajonit. Mendoj që këtë narrativë është mirë ta mbrojnë edhe e partitë e tjera politike”, tha Bislimi.
Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe 119 projektligjet e miratuara nga Qeveria Kurti mirëpo, një informatë e tillë nxjerri reagimin e deputetes Krasniqi, sipas së cilës, Bislimi nuk ishte ftuar për të dhënë statistika.
“Nuk ju kemi thirrur për të na dhënë statistika, nuk ju pyeta për ata. Fjala ishte për projektligjet për ‘ERA 2’, ku në këtë dokument që e kam, 41 projektligje janë paraparë për vitet 2021-2023, deri tani kanë kaluar vetëm 6 projektligje”, tha ajo.
Tutje, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovë, Blerta Deliu-Kodra, tha se nuk është e vërtetë që deklaratat e Parlamentit Evropian janë më të mira sot, sesa kur kanë qenë qeveritë e kaluara.
“Nuk është e vërtetë që deklaratat e Parlamentit Evropian janë më të mira sot sesa kur kanë qenë qeveritë e kaluara”, tha ajo.