Takimi i planifikuar në Bruksel me 19 korrik të këtij viti, në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, nuk do të mbahet.
Kjo për shkak se presidenti serb i ka dhënë përparësi takimit me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah Saeed Hussein, i cili pritet ta vizitojë Serbinë të martën.
Kështu bëri të ditur, Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, i cili tha se presidenti serb nuk ka treguar gatishmëri për takim.
Në Komisionin për Integrime Evropiane, Bislimi deklaroi se Serbia është duke e sabotuar procesin e dialogut, për dallim nga Kosova, që sipas tij është duke u treguar më aktive.
Bislimi bëri të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar së është i gatshëm që sa më shpejtë të fillojnë diskutimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas Bislimit, për një gjë të tillë nuk ka vullnet shteti serb.
“Ideja e takimit trilateral ka qenë që të përgatitet terreni për një takim të radhës, për këtë javë, mbase nesër mes dy krerëve të shtetit, po ashtu kjo ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së zotëri Vuçiq që të shkojë në Bruksel”, ka deklaruar Bislimi.
“Zotëri Kurti është deklaruar i gatshëm që sa më shpejtë të fillojë diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, por Vuçiq ka nxjerr si arsyetim vizitën e presidentit të Egjiptit i cili pritet të qëndrojë tri ditë në Serbi”, ka vijuar Bislimi.
Takimi i fundit Kurti-Vuçiq, ishte zhvilluar para një viti, kurse gjithsej Kurti dhe Vuçiq janë takuar vetëm dy herë.