Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të martën edhe zyrtarisht do t’i nisin negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
BE-ja ua ka dhënë dritën e gjelbër të dyja shteteve, pasi Maqedonia e Veriut e ka miratuar në Kuvendin e saj “Propozimin Francez”, i cili edhe e ka zgjidhur problemin që kishte ky shtet me Bullgarinë e që kishte të bënte me gjuhën dhe me pakicën bullgare që jeton në Maqedoni të Veriut.
Fillimin e negociatave e ka bërë të ditur edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili përmes një shkrimi në Facebook është shprehur se dita e martë është një ditë e vecantë për shqiptarët.
“Me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Europës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj”, ka shkruar Rama në Facebook.
Sipas agjendës së publikuar, Kryeministri Edi Rama do të takohet me homologun maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, në orën 08:30.
30 minuta më pas, ata do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Në orën 11:00 do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare dhe në 12:30, Rama do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky dhe Komisionerin për Zgjerim në BE, Oliver Varhelyi, raporton A2News.
Kurse në orën 18:00, do të ketë një një pritje të përbashkët të delegacionit shqiptar me atë maqedonas, me rastin e hapjes së negociatave.
Procesi i integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE ishte bllokuar për shkak të vetos së përdorur nga shteti i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, Shqipëria nuk kishte asnjë kontest me Bullgarinë, por BE-ja e kishte futur integrimin e Shqipërisë në një pako me Maqedoninë e Veriut dhe jo ndaras.