Varësia e njerëzimit nga kompjuterët dhe produktet e tjera teknologjike, bie fjala, smartfonët, por jo vetëm, është në rritje dita-ditës dhe se informacioni tani është ‘gjithçka’ për njerëzimin. Ata janë të pajisur në kohë reale me këtë informacion falë teknologjisë dhe përdorimit apo varësisë nga ajo.
Gjithçka është teknologjizuar thotë Nicholas Negroponte në veprën Being Digital, madje edhe mjetet e tjera të jetesës.
Kur gjithçka është digjitalizuar, edhe mediat tashmë janë digjitalizuar. Pra, vlera e bit-ëve është rritur ndërsa ajo e atomeve është në trajektoren e rënies. Rrjedhimisht, edhe e ardhmja e kompanive përcaktohet se si ato dinë që produktet dhe shërbimet e tyre t’i shndërrojnë në formë digjitale, apo edhe vetë marketingun ta bëjnë në formë digjitale.
Me digjitalizim Negroponte do të nënkuptojë mundësinë që bit-ët mund të përdoren dhe ripërdoren së bashku ose veç e veç. Pra, digjitalizimi prodhon një mundësi që përmbajtja e re të burojë nga një kombinim krejtësisht i ri burimesh. Krejt këtë Negroponte e përmbledh nën emrin “ADN-ja e informacionit”.
Bandwidth, në gjuhën e teknologjisë, quhet aftësia e një kanali për të bartur informacionin dhe transferimin e bit-ëve. Kjo lëvizje e bit-ëve bëhet në disa lloje të kanaleve, si me anë të telit të bakrit i cili ishte në përdorim më të madh, ndërsa tani ai është duke u zëvendësuar me shpejtësi me fijet optike të cilat ofrojnë transferim shumë më të shpejtë sesa fijet e deritanishme.
Bit-ët nuk transferohen vetëm në këtë formë. Një mundësi për transferin e tyre është edhe ajo nëpërmjet valëve ajrore, ku gjerësia dhe mundësia e transferimit krahasuar me fibrat është dukshëm më e madhe.
Si rezultat i kësaj, Negroponte na sugjeron të bëjmë një ndërrim mes asaj që është në ajër dhe asaj në tokë, sepse ai konsideron se Bandwidth në tokë është i pafund ndërsa në ajër është i kufizuar, ani pse tani nuk shihet si i tillë.
Pas radios është televizioni platforma më e njohur e mediave digjitale. Ai (televizioni) është duke pësuar ndryshime, ndoshta jo aq shumë në përmbajtje sa në rezolucion, pra në përmirësimin e imazhit (fotos). Mes kompjuterit edhe televizionit tanimë ka pak dallime, ose thënë ndryshe s’ka ndonjë dallim, janë thuajse një.
Të drejtat e autorit janë një shqetësim permanent i Komisioni Federal të Komunikimit (FCC). Ky komision ka për detyrë që të kujdeset rreth përdorimit të drejtë të spektrit, pra rreth qasjes në informacion dhe mundësisë së riprodhimit të atij informacioni në kopje të pakufizuara dhe ndryshe njihet edhe si “Policia e bit-it”.
Realisht, kjo është sfida e epokës sonë, epokës digjitale.
Për fund, mund të themi se mënyra se si jetojmë jetën tani, hapësira fizike është e parëndësishme, ndërsa informacioni në kohë është gjithçka.
Ani pse Negroponte në veprën e tij Being Digital ka zgjedhur t’i mbajë informacionet në formën e atomeve dhe jo si bit-a, kultura e bit-it tanimë nuk mund të quhet si primitive. Të qenët digjital zëvendëson edhe vetë imagjinatën e njeriut.