Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të martën e 19 qershorit, ka njoftuar se nga 2 mijë e 69 testime 842 persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit është shënuar një rast i vdekjes.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 110 persona, ndërkaq në total numri i rasteve aktive është 6 mijë e 418.
Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, si masë preventive kundër përhapjes së virusit, po llogaritet marrja e dozës së katërt të vaksinës antiCovid. Këtë e ka rekomanduar Ministria e Shëndetësisë dhe e kanë përkrahur dhe profesionistët shëndetësorë, duke e konsideruar se mbyllja nuk është opsion.
Infektologu Ilir Tolaj, rekomandon që çdokush që ka vullnet, të vaksinohet me dozën e katërt.
“Autoritet botërore po rekomandojnë që të vaksinohen personat e grupmoshave të caktuara mbi 60 vjeç ose ato me sëmundje kronike edhe me dozën e katërt. Prandaj rekomandimi im është që çdokush që ka vullnet për ta shtuar imunitetin e vet, të vaksinohet edhe me dozën e katërt”.