Ministria e Mbrojtjes, të martën e 19 korrikut me anë të një postimi në Facebook ka njoftuar se Ministria Turke e Mbrojtjes ka dhuruar një kontingjent të uniformës ushtarake të kamuflimit në borë për Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Në kuadër të bashkëpunimit bilateral, sot u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit për FSK-në, të dhuruar nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë”, thuhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Donacioni përkatës përmban një kontingjent të uniformave ushtarake të kamuflimit në borë për nevojat e njësive taktike manovruese të FSK-së.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit kanë marrë pjesë oficerë nga të dyja palët, të cilat janë të kryesuar nga Atasheu turk i mbrojtjes kolonel Çağdaş Akif Kahraman dhe nga Shefi i Sektorit për Furnizim dhe Transport i Ministrisë së Mbrojtjes, nënkolonel Rexhep Hoxha.
“Mbështetja e Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së saj të Mbrojtjes është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të FSK-së”, përfundon postimi i Ministrisë së Mbrojtjes.