Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën e 19 nkorrikut, rreth orës shtatë të mëngjesit, në dy vetura të ndryshme ka parandaluar kontrbandimin me mallra.
Në njoftimin e tyre thuhet se gjatë kontrollit në veturën e parë janë gjetur 26 arka me pije alkoolike, më saktësisht 520 copë birra, ndërsa në veturën e dytë janë gjetur 24 arka me birrë dhe 80 shishe, në total 560 copë.
Malli dyshohet se është sjellë nga Serbia përmes rrugëve malore në Republikën e Kosovës.
Parandalimi ka ndodhur gjatë vëzhgimit dhe pritjes së Policisë afër vijës kufitare Kosovë-Serbi, ku policia kufitare ka identifikuar dy vetura të ndryshme, njëra me targa të Serbisë e tjetra me targa vendore.
“Me datë 19.07.2022 rreth orës 07:00 Policia e Kosovës gjatë vëzhgimit dhe pritës afër vijës kufitare Kosovë – Serbi bazuar edhe në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare, kanë identifikuar dy vetura të ndryshme njëra me targa të Serbisë dhe tjetra me targa vendore, që të dyja me ngasës dy të dyshuarit meshkuj kosovarë” thuhet në njoftimin zyrtar, nga Policia e Kosovës.
Malli i sekuestruar thuhet se do t’i dorëzohet Doganës së Kosovës.
“Lidhur me rastin Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare-Lindje është duke i trajtuar këto dy raste edhe në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse. Pas hetimeve preliminare malli i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganës së Kosovës”, ka njoftuar Policia.