“Procesi i hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është me një rëndësi të dyfishtë, po i përmbyll në një proces të pakthyeshëm integrues”, kështu ka përshëndetur hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian(BE), ish-diplomati Anton Berisha.
Sipas Berishës, kjo ditë mund të quhet historike për Ballkanin.
Berisha në emisionin “Five” ka thënë se procesi i negociatave është proces i mundimshëm, pasi që në thelb vendimet janë politike ndërsa dialogu dhe negociatat janë të natyrës teknike.
“Maqedonia ka pasur probleme me fqinjë, me Greqinë dhe Bullgarinë ndërsa Shqipëria për shkak të mungesës së reformave është dashur 10 vjet të presë për çeljen e negociatave”, ka thënë Berisha.
Berisha: Qeveria po përdorë një politikë izolacioniste
Ndërsa pas dështimit të takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që parashihej të ndodhte të martën e 19 korrikut, ka thënë se Serbia është në një udhëkryq të një orientimi që nuk është në favor të integrimeve evropiane.
Për Berishën, çdo kryeministër i Kosovës duhet të ketë parasysh qëllimin e Kosovës.
“Për fat të keq, kryeministri Kurti dialogun nuk e ka kuptuar si proces për Kosovën, por si betejë politike për përfitime elektorale, e që shpresojë që kjo ditë e sotshme do t’ia ngushtojë këtë qëllim”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës po përdorë një politikë izolacioniste, pasi siç thotë ai, Kosova asnjëherë nuk ka pasur një Qeveri më jokompetente.
“Kjo Qeveri është një kombinim i mungesës së vullnetit dhe jokompetencës”, ka theksuar ai.
Berisha: Kosova do të ishte më afër BE-së nëse do t’i dëgjonte aleatët
Ai ka thënë se nëse Kosova do të tregohej korrekte me partnerët ndërkombëtarë dhe nëse procesi i dialogut do të kishte progres e jo të kishte dialoge teknike pseudopolitike, atëherë do të kishte integrim drejt BE-së.
Po ashtu ai ka deklaruar se proceset e mëdha janë të rënda dhe duhet të shfrytëzohet momenti.
“Ka qenë një tren që e kemi humbur, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina. Pritja e trenit tjetër ka qenë më e komplikuar”, ka shtuar ai.
“Liberalizimi i vizave me veprimin e sotshëm e ka humb më shumë kuptimin, kjo ndoshta do të dërgojë në një lëvizje prej instrumenteve evropiane”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, nuk duhet çdo padrejtësi të lidhet me procesin e dialogut.
“Çdo dialog me Serbinë ka dështuar, nuk presim që ata të pajtohen për temat të cilat janë kërkesa legjitime tonat, ideja është që historikishtt ka qenë që saherë pala serbe ka qenë jokonstruktive, BE është pozicionuar në anën tonë, dhe jo të marrim fajin e dështimit të dialogut”, ka shtuar ai.