Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shkarkuar prokuroren e përgjithshme si dhe Shefin e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës. Sipas Zelenskyt, shumë zyrtarë dyshoheshin për tradhti.
Ish-prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova ka pranuar shkarkimin e saj nga presidenti ukrainas, por ka treguar se në zyrën e saj nuk ka pasur ndonjë bashkëpunëtor tjetër.
Në një intervistë ekskluzive për CNN, Venediktova ka bërë të ditur se në zyrën e saj nuk ka mundur të ketë bashkëpuntor.
“Këtu në zyrën time nuk mund të kemi fare bashkëpunëtorë, sepse bashkëpunimi është vetëm me njerëzit që kanë punuar në territorin e pushtuar. Këtu nuk është territor i pushtuar,” ka thënë Venediktova, përcjell Portali Dukagjini.
Sipas saj, prioritet i zyrës së saj ka qenë puna rreth problemeve të tradhëtisë shtetërore dhe bashkëpunëtorëve.
Cila ishte arsyeja e shkarkimit?
Ish-prokurorja e përgjithshme ka treguar se arsyeja e vërtetë për shkarkimin e saj ka qenë vetëm karriga politike.
“Ju e dini se karrigia ime është karrige politike, dhe unë kam qenë prokurorja e 16-të ukrainase gjatë 30 vjetëve. Është realpolitikë në Ukrainë. Kjo është përgjigjja ime,” ka shtuar Venediktova.
Por ajo e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të flasë për shkarkimin e saj në publik, sepse sipas saj Rusia do ta shfrytëzojë atë.
“Presidenti tani është shef i komandës së tij. Ai e kupton strategjinë edhe taktikën e tij, si dhe merr vendimin me pikëpamjet e tij,” ka thënë Venediktova.