Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka pritur në takim kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik (PDD) nga Bujanoci, Shaip Kamberi dhe nënkryetaren, Ardita Sinani.
Përmes një shkrimi në Faceobok, Abdixhiku ka thënë se në takim është biseduar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë dhe domosdoshmërinë e mbështetjes institucionale.
“Me Shaipin, nënkryetaren Ardita Sinani, si dhe me bashkëpunëtorë të tjerë partiakë nga PVD, biseduam për gjendjen e shqiptarëve në Luginë dhe domosdoshmërinë e mbështetjes institucionale ndaj popullatës shqiptare atje”, ka shkruar ai.
Deputeti i LDK-së ka theksuar se regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, mbështetja financiare për Luginë si dhe sigurimi i teksteve falas shkollore për katër mijë nxënës shqiptarë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc janë disa nga temat që do t’i shqyrtojnë së bashku.
“Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, mbështetja financiare për Luginë si dhe sigurimi i teksteve falas shkollore për 4 mijë nxënës shqiptarë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc janë disa nga temat që do t’i ngrisim së bashku në çdo adresim tonin institucional dhe jo vetëm”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ndërkaq, Kamberi e ka falënderuar Abdixhikun dhe delegacionin e LDK-së për përkrahjen dhe angazhimin e dhënë për ta përfunduar me fitore betejën tonë politike për përfaqësim parlamentar.
Sipas tij, mbështetja për sensibilizimin e çështjes së Luginës së Preshevës duhet të jetë gjithëpërfshirëse e mbarëkombëtare.
Gjithashtu, gjatë ditës së mërkurë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është takuar me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Kamberin.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka falënderuar Kamberin për vizitën, duke thënë se zëri i tij do të jehojë guximshëm edhe këtë mandat në Kuvendin e Serbisë, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.
“Përtej pengesave e shantazheve, zëri i Shaip Kamberit, patriotit të pandalshëm e shembullor të Luginës, do të jehojë guximshëm edhe këtë mandat në Kuvendin e Serbisë, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërsa, Krasniqi e ka falënderuar për vizitën duke i uruar fat në mandatin e tij të ri në Kuvendin e Serbisë.