Albin Kurti si shef qeveria nuk është se ka mardhënie shumë të mira me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Raportet mes tyre sidomos u tensionuan pas propozimit të ligjit për rritjen e pagës minimale e ku veteranët u lanë jashtë.
Protestat e këtyre të fundit u bënë shkas i një takimi mes palëve, ndërsa Zyra e Kryeministrit një muaj më vonë u ka dërguar një propozim OVL-së së UCK-së.
Kreu i ekzekutivit ka propozuar që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.
“Hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë. Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, kryeministri Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar. Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit”, ka thënë Kryeziu.
Pranimin e kësaj letre nga kryeministri e ka konfirmuar edhe Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Ai tha se letrën e kanë pranuar dje, por se ende nuk ka diskutuar me strukturat nëse do ta pranojnë propozimin e ofruar.
Derisa veteranët po shqyrtojnë këto propozime, ka edhe palë të tjera të pakënaqura.
Kryesisht janë sindikata e arsimit por edhe të tjerët që nuk po pajtohen me projektligjin e miratuar në lexim të parë.
Projektligji për pagën minimale aktualisht është duke pësuar ndryshimet nëpër komisione parlamentare por që ende nuk është i gatshëm për t’u votuar në seancë.