Ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, i është vazhduar masa e paraburgimit.
Gjykata Speciale i ka vazhduar masën e paraburgimit Mustafës deri në muajin shtator.
Kjo është vendosur nga Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Folia, thuhet në vendimin e publikuar të mërkurën e 20 korrikut.
Rreziku i ikjes, ndikimi në dëshmitarë dhe zhdukja e provave, janë disa nga arsyet e cekura në vendimin e marrë.
Kjo, pavarësisht se procesi ndaj tij tashmë mund të thuhet se është në fazën e fundit.
Gjykata ka caktuar datën 5 shtator 2022 si datë ku ZPS-ja mund të paraqesë parashtresat për shqyrtimin e radhës për masën e paraburgimit, ndërkaq për palën mbrojtëse ka caktuar datën 13 shtator.
Pse akuzohet Mustafa?
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës, kundër, të paktën, gjashtë personave”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
“Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, vijonte komunikata.
Në aktakuzën e konfirmuar, Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale.
Ai akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si, krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ka filluar në shtator të vitit 2021.
Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.
Ndërsa, mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.
Në fillim të këtij procesi, Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.
Trupi Gjykues në rastin ndaj Salih Mustafës, më 24 qershor të vitit 2022, i ka dhënë fund paraqitjes së provave dhe ka urdhëruar palët që të dorëzojnë dosjet e tyre përfundimtare deri më 21 korrik.
Gjithashtu, është caktuar periudha 13 deri më 15 shtator për dhënien e deklaratave përmbyllëse.
Për dëgjimin e deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues i ka lënë ditë rezervë 16 shtatorin.