Më 21 korrik është vendosur mbledhja në fshatin Shkabaj lidhur me projektin më të ri, për ndërtimin e Objektit Termal Solar në Obiliq.
Ky objekt është i paraparë të ndërtohet në një parcelë të pashfrytëzuar të fshatit Shkabaj, në hapësirë prej 25 hektarësh. Ky projekt do të financohet nga Qeveria Gjermane.
Projekti do të financohet përmes huasë dhe granteve nga Qeveria Gjermane, të ofruara përmes Bankës KfW, do të bashkëfinancohet nga BERZH, si dhe me kontribut nga NP Termokos Sh.A.
Në përputhshmëri me Udhëzuesit për Qëndrueshmëri të KfW-së (2019) dhe standardeve të tjera ndërkombëtare, është duke u përpiluar Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis dhe Social (VMNS) me qëlim të identifikimit dhe vlerësimit të rreziqeve dhe ndikimeve sociale dhe ndikimeve në ambient, përgjatë të gjitha fazave të zbatimit të projektit të propozuar, përfshirë edhe të objekteve përcjellëse.
Kapaciteti gjenerues solar do të lidhet përmes gypave nëntokësorë me rrjetin e ngrohjes në Prishtinë dhe me linjën ekzistuese në Obiliq.
Takimi do të mbahet në shkollën fillore e të mesme të ulët “Dituria”, në fshatin Shkabaj, më 21 korrik 2022, në orën 18:00.
Termokos kishte organizuar edhe më parë një mbledhje për këtë projekt, por mbledhja nuk u realizua sepse asnjë banorë nuk ishte prezent.