Të mërkurën e 20 korrikut në Agjencinë për Regjistrim Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është mbajtur takimi informues me udhëheqësit e Qendrave për Regjistrimin e Automjeteve.
Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar për zbatimin e Vendimit Nr. 01/85 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 29.06.2022, si dhe u vunë në pah modalitetet për formën se si do të shkojë ky proces për regjistrimin e mjeteve, sipas Udhëzimit Administrativ, Nr. 03/2022 për regjistrimin me targa “RKS” të mjeteve që posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” DHE “DA” APO “ĐA”.
Udhëheqësit u njoftuan se qytetarët që posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” DHE “DA” APO “ĐA” dhe regjistrojnë mjetin me targa “RKS” do të lirohen nga obligimi për të paguar taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targën, si dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit.
Me vendim të qershorit, qytetarëve në veri u jepet edhe një mundësi për kthimin e targave RKS.
Sipas Qeverisë, pronarëve të veturave me këto targa u është mundësuar që kthimin në RKS ta bëjnë në periudhën 1 gusht 2022 – 30 shtator 2022.
Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme, inkurajon të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë regjistrimin e mjeteve në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në komunën ku e kanë vendbanimin.
Ndryshe, më 29 qershor, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Në mbledhjen e 85-të të Qeverisë, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS.