Bashkimi Evropian ka vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, pasi vendet anëtare të bllokut kanë mbështetur një sërë masash të cilat do të përfshinin importet e arit dhe do të shtrëngonin kontrollet e eksportit për disa mallra të teknologjisë së lartë.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se “sanksionet e përforcuara dhe të zgjatura të BE-së kundër Kremlinit” dërgojnë “një sinjal të fortë për Moskën”.
“Ne do ta mbajmë presionin të lartë për aq kohë sa duhet”, ka shtuar ajo.
Ndërsa detajet në lidhje me sanksionet ende janë të papublikuara.
Zyrtarët e BE-së kanë kërkuar gjatë tërë javës shtrëngimin e paketës së gjerë të sanksioneve ndaj Rusisë, duke kërkuar mënyra për të shtuar një ndalim të eksporteve të arit duke shpresuar se masat më në fund mund të kenë një ndikim vendimtar në luftën në Ukrainë, transmeton euronews.
Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell të hënën e 18 korrikut ka thënë se për momentin “gjëja më e rëndësishme është ndalimi i arit rus”, i cili është industria e dytë më e madhe e eksportit të Moskës pas energjisë.
G7 muajin e kaluar është angazhuar për një ndalim të arit, duke argumentuar se Rusia ka përdorur arin e saj për të mbështetur rublën pas disa raundeve të sanksioneve që kombet në mbarë botën kishin vendosur tashmë ndaj Moskës për pushtimin e saj të Ukrainës më 24 shkurt.
Përveç masave kufizuese, BE-ja ka vendosur gjithashtu të japë 500 milionë euro për të rritur ndihmën ushtarake për Ukrainën.