Drejtoresha e Agjencisë për Regjistrimin Civil, Sebahate Muharremi Pllana, ka thënë se janë të gatshëm për zbatimin e vendimit për regjistrimin e automjeteve me targat RKS, nga banorët serbë.
Sipas saj, do të ketë lehtësira, siç është lirimi nga taksa e MPB-së, lirimi nga obligimet doganore dhe nga taksa administrative.
“Në takim udhëheqësit e qendrave u njoftuan për lehtësirat që do t’i kenë qytetarët për regjistrimin e veturave, për lirimin nga obligimet doganore, lirimi nga taksa administrative e MPB-së, dhe lirimi nga pagesa e targave dhe lirimi nga ceritfikata për regjistrimin e automjeteve”, ka thënë ajo.
Ajo, gjithashtu, është shprehur se nuk kanë ndonjë shifër se sa automjete janë që duhet t’i ndërrojnë targat në RKS, por sipas saj, janë të përgatitur për çfarëdolloj fluksi të qytetarëve.
“Nuk kemi ndonjë shifër, nuk mundemi të them ndonjë numër. Mirëpo i kemi bërë përgatitjet nëse ka nevojë edhe për staf dhe për shtimin e pajisjeve, jemi të përgatitur për numër të madh të qytetarëve”, ka deklaruar ajo.
Në fund, ajo ka folur edhe për qendrat në veri, të cilat sipas saj, kanë siguri dhe janë funksionale.