Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve te Luftës (OVL), ka thënë se është e pamundur që të bëhet vlerësimi duke e sfiduar qeverinë.
“Hajde bëjeni atë vlerësim e verifikim me letër të thatë, sepse dosjet i keni në prokurori e gjykatë”.
Sipas tij, Qeveria e ka bërë publike me tendencë që të bëjë lojëra e mashtrime në publik sepse OVL ende nuk ia ka kthyer përgjigjen ndaj shkresës së kryeministrit.
“Nuk e pritën përgjigjen tonë ndaj shkresës së kryeministrit, por qysh ditën e nesërme pushteti e bëri këtë çështje publike për të bërë lojëra e mashtrime në publik”, ka theksuar ai.
Tutje, Klinaku ka thënë se “Qeveria po flet për veteranët se si i meritojnë më shumë beneficione sesa marrin aktualisht, e qëllimin e kanë që të mos e lëvizin atë pagesë as në këtë kohë krize”.
Sipas Klinakut, “disa nuk kanë ide sesi dhe nga kush bëhet vlerësimi e verifikimi, e disa janë të paskrupullt sepse e dinë që nuk bëhet kjo aktualisht dhe është ndërhyrje në procesin gjyqësor”.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti i ka dërguar një propozim me shkrim ushtruesit të detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ku propozohet që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.
Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.