Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur në lidhje me rezolutën e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, kundër raportit të ish-senatorit zviceran Dick Marty. Ajo ka thënë se të dyja shtetet, edhe Kosova dhe Shqipëria mund të miratojnë rezoluta, por zhbërjen e një dokumenti të fuqizuar mund ta shfuqizojë vetëm organi që e ka miratuar, në këtë rast sipas saj Këshilli i Evropës.
Osmani tha se luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk mund ta zhbëjë askush e “aq më pak një raport i rremë”.
Lufta e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush, sepse historinë nuk mund ta ndërrojë askush. Kosova e ka mbrojtur veten nga një regjim gjenocidal, i udhëhequr nga Millosheviqi, mbetjet e të cilit ende janë në Serbi në kuptim të mendësisë së tij”, ka deklaruar presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka deklaruar se, Dick Marty ka tentuar që qëllimisht ta shtrembërojë të vërtetën e luftës gjenocidale të shkaktuar nga Serbia. Ajo ka thënë se vetë prokurorët e Hagës e kanë hedhur poshtë raportin e tij duke e cilësuar se nuk ka fakte.
“Dick Marty ka tentuar ta shtrembërojë të vërtetën e një lufte gjenocidale kundër popullit të Kosovës. Prokuorir Williamson në raportin e tij thotë se nuk ka argumente për trafikim organesh, këto thashetheme kanë rënë në tokë, para shumë vjetësh”, ka thënë Osmani.
“Vetë prokurorët i kanë gjuajtur në pleh ato gojëdhëna dhe thashetheme të Dick Martyt, sa i përket kinse trafikimit me organe që askush nga Kosova nuk e ka bërë”, ka vijuar ajo.
Në fund, presidentja e Kosovës, ka thënë se e mirëpresin çdo iniciativë të Shqipërisë që do t’i ndihmonte Kosovës. Ajo e ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Ndërkaq, edhe presidenti Ilir Meta ka thënë se raporti i Dick Marty-t nuk përbën asnjë fakt në vete. Ai beson se ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë do të dalin të pafajshëm.