Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), njëherësh infektologu, Arben Vishaj ka treguar gjendjen e të infektuarve me COVID-19, numri i rasteve të së cilës është rritur kohëve të fundit në Kosovë.
I ftuar në “Radar” me Edita Doli në Radio Dukagjini, Vishaj ka bërë të ditur se aktualisht, janë të aktivizuara katër reparte në klinikën infektive dhe janë të shtrirë 22 pacientë.
“Ne në kliniken infektive i kemi të aktiviuzra katër reparte nga shtatë në total. Për momentin, i kemi të shtrirë 22 pacientë”, ka thënë Vishaj.
Përmes një lidhjeje telefonike në “Radar”, sipas Vishajt, kërkesat për shtrim në spital nga të infektuarit për COVID-19, nuk janë të shumta.
Ndër të tjera, Arben Vishaj ka përmendur simptomat e virusit duke thënë se shenjat e përgjtihshme nuk kanë ndryshuar.
“Shenjë e përgjithshme është temperatura. Pastaj, ndër simptomat e tjera janë lodhja, plogështia, vështirësi në frymëarrje, rrjedhje e hundëve, kollë e të tjera”, ka thënë Vishaj gjersa ka thënë që simptomat mbesin të njëjta por, mënyra e reagimit të tyre dallon ndër individ.
Sipas tij, mbyllja e vendit nuk është një zgjedhje për situatën aktuale me COVID-19.