Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Eurazinë, Laura Cooper, ka hedhur poshtë çdo paralelizëm që bëhet nga Moska në mes të sulmit të Rusisë mbi Ukrainën dhe intervenimit të Aleancës Veriatlantike (NATO), në Kosovë.
Ajo në një intervistë për për Zërin e Amerikës, ka theksuar se, nuk ka asnjë të përbashkët në mes të këtyre dy situatave.
“Nuk ka absolutisht asnjë ngjashmëri mes këtyre situatave. Ajo që shohim sot është një fuqi e madhe, që ka zgjedhur të sulmojë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike pa asnjë provokim, dhe po kërkon të pushtojë pjesë të konsiderueshme të atij vendi duke bombarduar popullsinë civile, dhe duke penguar dhënien e ndihmës humanitare”, ka thënë Cooper.
Cooper teksa ka ripërsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me Ballkanin Perëndimor, ka potencuar se, SHBA-të gjithmonë i kushtojnë vëmendje Ballkanit.
“Pa dyshim ka një histori të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në rajon, duke u përpjekur të nxisë tensione. Dhe mendoj se ne po shohim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Jam vërtet e kënaqur jo vetëm nga niveli i vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, por edhe se mendoj se edhe partnerët tanë të BE-së janë investuar shumë në sigurimin e stabilitetit”, ka shtuar ajo.
Për Cooper, ndonëse SHBA-të janë të hapura për bashkëpunim ushtarak me Serbinë, e njëjta, “zhgënjehet” kur Serbia nuk e bën të njëjtën zgjedhje.
“Nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me një ushtri që masakron një popullatë, një ushtri që bombardon civilët. Sinqerisht, nuk është në interesin e Serbisë të ketë partneritet me një ushtri që po vuan pasoja kaq të qarta në fushën e betejës, me një moral kaq të ulët, një ushtri ku udhëheqësit nuk u besojnë ushtarëve të tyre”, është shprehur ajo.
Në anën tjetër, sipas Cooper, Rusia vazhdimisht bën përpjekje që të provokojë ndarje midis aleatëve të NATO-s, duke përfshirë edhe Ballkanin.
Sa i përket sanksioneve të vëna kundër Rusisë, për shkak të agresionit në Ukrainë, Cooper ka thënë se, efekti i tyre veçse ka filluar të ndjehet.
“Ndërsa publiku rus dhe oligarkët që rrethojnë Putinin, janë vënë në shënjestër të sanksioneve, fillojnë të ndjejnë trysninë e tyre, ata do ta drejtojnë këtë trysni ndaj regjimit”, ka thënë ajo.
Vendet e rajonit, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia e kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.
Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Ndërkaq, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë të vetmet vende që nuk e kanë dënuar agresionin rus.