Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka reaguar pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani duke thënë se “me lavdëru Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) si me sha Presidenten”.
Abdullahu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Çështja në Gjykatën Speciale nuk ka të bëjë me të drejtat e njeriut, por me të drejtën e një kombi për të luftuar dhe për të qenë i lirë, vlera të cilat siç thotë ai nuk po dëshiron t’i mbrojë presidentja.
“E kam thënë vite më parë se ju presidente, keni qenë një mini Vetëvendosje. E ridëshmuat edhe sot në konferencën për shtyp se keni mbetur e tillë. A nuk patët asgjë më të rëndësishme sot për çka të flisni por për Gjykatën Speciale”, ka shkruar Abdullahu.
Sipas tij, presidentja Osmani e ka shfrytëzuar konferencën mikëpritëse të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta të akuzojë ish-presidentin Thaçi.
“Gjetët kohë mu sot në Konferencën mikpritëse të presidentit të Shqipërisë Meta ta akuzoni ish Presidentin Thaçi. Pse? Pse nuk ju largohet kjo armiqësi së paku tani kur ai dhe të tjerët me të janë në burg. Pse dëshironi dhe si duket, gjeni kënaqësi politike t’i akuzoni edhe më shumë e t’i rëndoni edhe më tepër atje ku janë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Gjykata Speciale është votuar që të mbrohet UÇK-ja nga një Evropë antievropiane.
Ai, ndër të tjera, ka pyetur edhe për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Përndryshe, pse nuk na treguat në këtë Konferencë edhe diçka tjetër. A ka qenë te ju ambasadori Martin Berishaj? A ju ka deponuar me shkrim arsyetimin për çka keni premtuar se çfarë ka ndodhur me aferën që bëri bujë më shumë gjetiu se në Kosovë, sepse ju po e mbroni”, ka pyetur Abdullahu.
“Disi e keni pru punën – me lavdu dikush afër jush apo si ju, luftën e UÇK-së ju po e merrni si me ju sha juve. Pse Presidente?”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, në konferencën për media së bashku me homologun e saj, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka folur për Gjykatën Speciale dhe mënyrën se si është themeluar ajo.
Në fjalën e saj, presidentja Osmani tha se të gjithë e dinë se kush ka bërë presion që kjo gjykatë të themelohej, duke aluduar kështu tek ish-presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.
“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh, nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, ka deklaruar ajo.
Presidentja Osmani, po ashtu, tha se për ish-krerët e UÇK-së ka rëndësi mbrojtja që i ofron shteti i Kosovës dhe jo vizitat.
“Me rëndësi është se sa bashkëpunojmë dhe sa kanë mbrojtje kualitative dhe jo vizitat tona në Hagë”, ka deklaruar Osmani.
Ndërsa, presidenti Meta ka thënë se ish-krerët e UÇK-së në Hagë janë të pafajshëm dhe se do të kthehen si të tillë në Kosovë.