Të premten e 22 korrikut, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti ka pritur në takim zëvendësndihmëssekretaren e Shtetit, Lisa Johnson.
“Të premten, më 22 korrik 2022, Zëvendësndihmëssekretarja e Shtetit, Lisa Johnson, nga Byroja Ndërkombëtare për Luftën kundër Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe stafin e lartë komandues për të diskutuar përpjekjet e vazhdueshme të partneritetit ndërmjet dy kombeve”, njofton Policia e Kosovës.
Zëvendësndihmëssekretarja e Shtetit Johnson dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kanë diskutuar për progresin e sundimit të ligjit në Kosovë, sfidat e vazhdueshme dhe sukseset e fundit në luftën e prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve në rajon, korrupsionin dhe trendet e tjera të krimit me të cilat ballafaqohet Kosova.
Mehmeti dhe Johnson kanë diskutuar për pilot programin e ardhshëm, i cili do t’i pajisë policët e përzgjedhur të Kosovës me sisteme të kamerave për trup, me plan që viteve të ardhshme Policia e Kosovës plotësisht të pajiset me këso kamera.
“Ky takim ishte jashtëzakonisht pozitiv, takim ky i cili edhe një herë ilustron lidhjet dhe partneritetin e fortë në mes komuniteteve për zbatim të ligjit në Kosovë dhe SHBA. Së bashku, ne përsëri do t’i tregojmë botës fushat e ndryshme në profesionin e policisë në të cilat Policia e Kosovës vazhdon të zhvillohet dhe forcojë aftësitë e saj për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer të gjithë popullit të Kosovës”, ka thënë Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës tutje ka shtuar se Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për ta forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tashmë fantastike ndërkombëtare me partnerët tanë globalë, veçanërisht me INL-in dhe ICITAP-in të cilëve u janë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme.
Vizita u përmbyll me ceremoninë e nënshkrimit për dhurimin e sistemit të ri për komunikim të sigurt që do të përdoret nga hetuesit në terren.
Siguria e qytetarëve nëpërmjet kamerave të vendosura në trupat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës